Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla – Schwartz thekson se vendi i saj është i përkushtuar për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, që do të duhet të rezultonte me njohjen e ndërsjellë.
Ajo shton se sa më parë që Serbia ta njohë realitetin me shtetin e ri të Kosovës në Ballkan, aq më shpejt do të përparonte drejt rrugës evropiane.
Zonja Gërvalla – Schwartz në një intervistë për Zërin e Amerikës foli edhe mbi çështjen e liberalizimit të vizave mes BE-së dhe Kosovës, ndërsa pritet që me 13 tetor Republika Çeke, e cila ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, ta trajtojë këtë çështje gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian.
Sipas ministres Gërvalla-Schwarts, Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara për liberalizim vizash dhe kjo çështje më shumë sesa përgjegjësi e palës kosovare, është tashmë e Bashkimit Evropian çka mund të vinte në pikëpyetje kredibilitetin e tij. Me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës bisedoi gazetarja Menada Zaimi.
Zonja ministre, kohët e fundit është vënë re një vëmendje e shtuar e faktorit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cili është vlerësimi juaj, kur është realiste që të kjo marrëveshje të arrihet ndërmjet dy vendeve?
Donika Gërvalla – Schwarz: Unë nuk mund të jap parashikime rreth kohës se kur mund arrihet një marrëveshje e tillë. Çfarë unë mund të them është që Kosova është shumë e përkushtuar për të arritur një marrëveshje finale, e cila do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi. Unë mundem vetëm të theksoj nevojën për një marrëveshje të tillë për shkak se koha po kalon. Kosova është realitet si shtet i pavarur dhe sovran qe 15 vjet dhe ky është një fakt i pakapërcyeshëm edhe për Serbinë. Kapitulli historik i pavarësisë së Kosovës është përmbyllur, në ndërkohë është çështje e Serbisë edhe për arsyet e saj të brendshme që sa më parë ta njoh realitetin me shtetin e ri të Kosovës në Ballkan, aq më shpejt do të hapin dhe rrugën për vetveten drejt rrugës evropiane, nëse e dëshirojnë.
Le të flasim për një çështje të ndjeshme për Kosovën. Republika Çeke e cila mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian ka paralajmëruar që me 13 tetor do të hedh për diskutim në Këshillin Evropian çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sa optimiste është qeveria e Kosovës se kjo gjë do të realizohet dhe shpejt?
Donika Gërvalla – Schwarz: Ne në vazhdimësi kemi punuar në baza ditore për të arritur progres në çështjen e liberalizimit të vizave, sepse është padrejtësi e madhe që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vetmit në rajonin tonë të cilët nuk mund të lëvizin pa aplikuar për viza dhe procesi i aplikimit për viza është jashtëzakonisht i gjatë, i shtrenjtë dhe i komplikuar. Prandaj, përderisa është konstatuar disa herë që Kosova i ka përmbushur, madje më shumë sesa që ka qenë e kërkuar, kriteret për liberalizim vizash, është në fakt në pyetje kredibiliteti i Bashkimit Evropian më shumë sesa që përgjegjësia bie në anën tonë. Unë dua të jem optimiste për datën 13, por siç e kemi praktikuar edhe deri tani ne nuk japim parashikime, nuk japim data sepse mjaft në të kaluarën janë bërë parashikime të gabuara, janë hapur shishe shampanje, është festuar që është bërë pardje liberalizimi i vizave. Duam të jemi shumë serioz edhe me partnerët tanë evropianë, do ta përshëndesnim jashtë mase liberalizimin e vizave, por le të presim se cili do të jetë veprimi. Në fakt arsye për të mohuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk ka.