GjNP-ja lëshon fletarrestime për Netanyahun dhe zyrtarët e Hamasit

55

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar të enjten fletarrestime për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për zyrtarët e Hamasit, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit për luftën në Rripin e Gazës, dhe për sulmet e tetorit 2023 në Izrael.

Ky vendim nënkupton se Netanyahu dhe të tjerët tani kërkohen ndërkombëtarisht si të dyshuar dhe ka të ngjarë t’i izolojë ata edhe më shumë.

Njëkohësisht, ky vendim ka mundësi t’i ndërlikojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi për t’i dhënë fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, raporton REL.

Një urdhër është lëshuar gjithashtu për Mohammed Deif, megjithëse ushtria izraelite ka thënë se ai u vra në një sulm ajror në Gaza në korrik.

Gjykatësit thanë se kishte “arsye të arsyeshme” që të kishin “përgjegjësi penale” për krimet e dyshuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit gjatë luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

Si Izraeli ashtu edhe Hamasi i kanë hedhur poshtë akuzat.

Tani do t’i mbetet 124 vendeve anëtare të ICC, të vendosin nëse do të zbatojnë ose jo urdhëresat.

Në maj, prokurori i ICC-së, Karim Khan, kërkoi urdhër për Netanyahu, Gallant, Deif dhe dy liderë të tjerë të Hamasit, të cilët janë vrarë që atëherë, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar.

Më 7 tetor 2023, persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 251 pengje.

Izraeli iu përgjigj sulmit duke nisur një fushatë ushtarake për të eliminuar Hamasin, gjatë së cilës janë vrarë të paktën 44,000 njerëz në Gaza, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit të Hamasit.