Ndezje alarmi e bllokim rrugësh, KFOR-i deklarohet për situatën në veri

120

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

E në qendër të Mitrovicës së veriut shumë qytetarë kanë dalë jashtë për të parë nga afër se çfarë po ndodhë pas aktivizimit të alarmit.

Përpos kësaj në afërsi të Urës së Ibrit kanë arritur edhe zyrtarë të shumtë të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës dhe nga KFOR-i.

Nga Kossev kanë raportuar se KFOR-i është duke monitoruar situatën dhe po mbledh të gjitha të dhënat lidhur me zhvillimet e fundit.

“KFOR-i është duke monitoruar situatën dhe aktualisht po mbledh informacione”, kështu thuhet të jenë deklaruar nga Zyra për Informim e KFOR-it.

Ndryshe pas bllokimit të njërës prej rrugëve në Zubin Potok, shumë mërgimtarë të Kosovës kanë mbetur në pritje për të kaluar kufirin e për t’u kthyer në vendet e tyre në Evropë.

Lidhur me gjithë këto zhvillime ende nuk ka pasur ndonjë deklarim zyrtar nga institucionet e vendit.