Policia gjen raketahedhës në Zubin Potok, nuk ka të arrestuar

22

Policia e Kosovës ka gjetur një raketahedhës M80 me kalibër 64mm gjatë një patrullimi në zonën kufitare të Zubin Potokut.

Zëvendësdrejtori i policisë për veri, Veton Elshani, konfirmoi për “Ekonomia Online” se raketahedhësi u gjet pas një operacioni lidhur me informacione për kontrabandë me mallra.

“Sot me datën 03.02.2025 rreth orës 16.00 derisa policët ishin në patrullim në zonën kufitare të Zubin Potokut në afërsi të fshatit Kleçkë në lidhje me informacione për rrugë alternative për kontrabandë të mallrave, kanë hasur në një qese najloni ngjyrë e zezë në të cilën mund të kishte diçka të dyshimtë. Pasi ka arrit në vendngjarje edhe forenzika rajonale, kemi vërejtë se kemi të bëjmë me një raketahedhës M80 e kalibrit 64mm”, konfirmoi Elshani.

Lidhur me këtë rast, Elshani shtoi se nuk ka të dyshuar e as të arrestuar, por zona ku u gjet ky raketahedhës ëshë shumë afër kufirit me Serbinë.