Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se i dyshuari R.B., shtetas i Serbisë, është arrestuar të enjten nën dyshimin për përgatitje për kryerje të vrasjes, perzantim të rremë si person zyrtar dhe mashtrim.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se arrestimi i të dyshuarit erdhi pas një pune hetimore disamujore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se pas një pune hetimore disamujore të Prokurorit të Shtetit në bashkëpunim dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, më 5 dhjetor 2024 është kryer bastisje dhe është bërë arrestimi i një të dyshuari me inicialet R.B., i cili është shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale, si në vijim: “Përgatitja për kryerjen e vrasjes”, nga neni 172 lidhur me nenin 27 të KPRK-së, “Prezantimi i rremë si person zyrtar”, nga neni 409 i KPRK-së dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit është duke vazhduar marrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbulimin edhe të ndonjë të dyshuari tjetër eventual lidhur me këtë rast.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se rasti kishte ndodhur më 3 prill 2024 në Fushë-Kosovë.