Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër-Lepencit

23

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Zubin Potok. Nga ky shpërthim është dëmtuar një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, çka ka shkaktuar rrjedhjen e pakontrolluar të ujit në atë zonë.

Izmir Zeqiri, kryetar i Komunës së Zubin Potokut, konfirmon për RTK-në që është e rrezikuar një shtëpi dhe që banorët e saj janë evakuuar.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani.

Kurse Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, nga i cili kanal qytetarët e Mitrovicës furnizohen me ujë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Kjo kompani fton qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.

Në dy ditët e fundit, në veri, ka pasur disa incidente të tjera, ku në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës. Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin.