Pjetër Shala urdhërohet të paguajë 208 mijë euro zhdëmtim për viktimat

23

Gjykata Speciale e ka urdhëruar Pjetër Shalën të paguajë 208 mijë euro si zhdëmtim tetë viktimat e tij të drejtpërdrejta dhe pesë jo të drejtpërdrejta.

Tetë viktima morën pjesë në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, të gjithë nën masa mbrojtëse.

Në një urdhër të lëshuar të premten, një trup gjykues i Gjykatës Speciale ka vendosur që viktimat të shpërblehen me 208 mijë euro për zhdëmtim.

Ai është urdhëruar t’i paguajë 100 mijë euro vitkimës 1, 10 mijë euro viktimës 3, 8 mijë euro për person viktimave 2,3,5,6,7 dhe 8, si dhe 50 mijë euro gjithsej bashkërisht viktimave 2,3,4,5,6,7 dhe 8.

“Mbrojtësi i Viktimave kërkon në lidhje me ‘viktimën 1’: 10 mijë euro për dëm fizik, 30 mijë euro për dëm mendor dhe 60 mijë euro për dëm material”

“Në lidhje me viktimën 3, Mbrojtësi i Viktimave kërkon 10 mijë euro për dëm mendor. Në lidhje me viktimat 2,4,5,6,7 dhe 8, Mbrojtësi i Viktimave kërkon 8 mijë euro për person për dëm mendor”, tha kryetarja e trupit gjykues.

“Së fundmi, Mbrojtësi i Vitimave kërkon që një shumë e gjithsejt prej 50 mijë eurosh t’u akordohet viktimave të tërthorta 2,3,4,5,6,7 dhe 8 për dëm material”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Të gjitha kërkesat e Mbrojtësit të Viktimave janë gjetur të bazuara nga trupi gjykues.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, i njohur me nofkën “Ujku”, ishte dënuar me 18 vite burgim në një aktgjykim të Gjykatës Speciale të shpallur në korrik të vitit 2024.

Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Njoftimi i plotë:

Trupi Gjykues urdhëroi z. Shala të paguajë një shumë prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material shkaktuar viktimave të krimeve për të cilat u shpall fajtor. Kompensimet individuale për tetë viktimat janë midis 100.000 euro dhe 8.000 euro dhe, krahas kësaj, shtatë viktimave iu akordua bashkërisht edhe një shumë prej 50.000 eurosh.

Këto shuma burojnë nga kërkesa e Mbrojtësit të Viktimave, që Trupi Gjykues i gjykoi të arsyeshme dhe që pasqyrojnë shkallën dhe përmasat e dëmit që pësuan viktimat. Trupi Gjykues theksoi se juridiksioni i tij në këtë çështje gjyqësore do të përfundojë me nxjerrjen e këtij Urdhri për Zhdëmtim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi Kryetaren e DHSK-së të caktojë një Gjykatës të Vetëm për monitorimin dhe mbikëqyrjen e vënies në jetë dhe zbatimit të këtij Urdhri për Zhdëmtim.

Megjithëse Trupi Gjykues rikujtoi se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban ekskluzivisht z. Shala, ai theksoi se në kohën e lëshimit të Urdhrit për Zhdëmtim, z. Shala nuk duket se zotëron mjetet financiare për përmbushjen e plotë të urdhrit. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues theksoi nevojën për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos të Kosovës. Trupi Gjykues theksoi fillimisht se programi i Kosovës për kompensimin e viktimave të krimit mund të jetë një mënyrë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, edhe pse shumat maksimale që mund të akordohen nga ky program janë më të ulëta se ato të përcaktuara në Urdhrin për Zhdëmtim.

Trupi Gjykues theksoi gjithashtu se Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar realizimin e kompensimit për viktimat e krimeve që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.

Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi përsëri Kosovën që të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë një mekanizëm zhdëmtues për kompensimin e viktimave të krimeve që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.

Trupi Gjykues shpjegoi se ky hap (i) do të siguronte detyrimin e Kosovës lidhur me të drejtat e viktimave sipas traktateve ndërkombëtare; (ii) do të arrinte trajtimin e barabartë midis viktimave, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, të dyshuarve dhe akuzuarve para Dhomave të Specializuara, të cilët mbështeten financiarisht për mbrojtjen e tyre nëpërmjet buxhetit të Kosovës; dhe (iii) do të shmangte diskriminimin midis viktimave të konfliktit të armatosur në Kosovë në 1998-1999.

Në lidhje me këtë, Trupi Gjykues vëren se legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e konfliktit të armatosur u referohet vetëm viktimave prej forcave të armikut, d.m.th. forcave serbe. Krahas kësaj, Trupi Gjykues vuri në dukje se tani ekziston mundësia që donatorët t’i kontribuojnë me fonde të pakushtëzuara Dhomave të Specializuara, nëse dëshirojnë të mbështesin pagimin e kompensimit që u është akorduar viktimave në bazë të një urdhri për zhdëmtim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.