Kurti e pranon që gaboi duke zgjidhur ekuacionin, kërkon falje: Jam i gëzuar që s’isha nxënës, s’do të merrja notë kaluese

48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kërkon falje nxënësve të klasës së shtatë të shkollës “Ali Hadri”, për ekuacionin matematikor të cilin e zgjidhi gabim.

Kurti tha se në sekondën e parë i është dukur që ekuacioni ka zgjidhjen x=5, por thekson se po të mendonte pak do ta shihte se zgjidhja e saktë ishte x=0.

Postimi i plotë i tij:

Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”

Të dashur nxënës,

Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0.

Ju përshëndes e ju dua fort,

Albini