ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

99

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Për Thaçin dhe Veselin, ZPS-ja i ka bërë dy kërkesa të ndara, me anë të së cilave thekson se ekziston rreziku që dy të akuzuarit “të pengojnë procesin gjyqësor, të kryejnë krime të tjera ose edhe të arratisen”.

“Asnjë nga modalitetet e lirimit me kusht nuk është në gjendje të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet…Rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së, siç është riafirmuar së fundmi nga ky Panel”, thuhet në dy kërkesat e ZPS-së.

Po ashtu, në të dyja kërkesat, ZPS-ja ka rikujtuar se sa i takon rreziqeve të pengimit të procedurave të DhSK-së, dhe “rrezikut për kryerjen e krimeve të mëtejshme nga të akuzuarit”, Paneli ka konstatuar se asnjë nga kushtet e propozuara më parë dhe as ndonjë masë shtesë nuk mund t’i zbus rreziqet të cilat ekzistojnë në këtë rast.

Sipas ZPS-së, asgjë nuk ka ndryshuar që nga vendimi i fundit i trupit gjykues për vazhdimin e paraburgimit ndaj dy të akuzuarve.

ZPS-ja ka shtuar se “sjellja e Thaçit përfaqëson një rrezik jashtëzakonisht të rritur e sidomos me vazhdimin e gjykimit dhe zbulimin e mëtejshëm të provave”.

“Përkundrazi, sjellja e Thaçit tani përfaqëson një rrezik të jashtëzakonshëm të rritur që edhe kufizimet dhe monitorimi standard i komunikimeve të Qendrës së Paraburgimit janë të pamjaftueshme për ta zbutur atë, duke e bërë të nevojshme vendosjen e një regjimi edhe më të rreptë nga ky Panel. Prandaj, sidomos në lidhje me vazhdimin e gjykimit dhe zbulimin e mëtejshëm të provave, rreziqet bazë janë më të larta se kurrë”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

Po ashtu, sa i takon sjelljes së Veselit, ngjashëm thuhet edhe në kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

ZPS-ja rikujtoi sërish arsyetimin e Panelit për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve, ku për Thaçin kishte konstatuar se duhet vlerësuar faktet e çdo rasti dhe veçoritë e tij personale e “që përfshijnë ndikimin dhe autoritetin e të akuzuarit, njohuritë e tij mbi akuzat dhe provat kundër tij, mundësinë për një dënim të gjatë me burgim, rrezikun e pengimit të procedurave, kryerjes së krimeve”, etj.

Ndërsa, në kërkesën për Veselin, ZPS-ja rikujtoi arsyetimin e panelit për vazhdimi e paraburgimit ndaj tij, duke theksuar se ai është i akuzuar për dhjetëra akuza të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat pretendohet se ka luajtur rol të rëndësishëm dhe nëse dënohet mund të përballët me burgim të gjatë, etj.

Si rrjedhojë, ZPS-ja ka parashtruar se duke marrë parasysh këta faktor dhe faktorët shtesë, masa e paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit “vazhdon të jetë e arsyeshme dhe se ata duhet të mbesin në paraburgim”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.