Krasniqi: 26 janari data më e favorshme për zgjedhje, presidentja të mos humbasë kohë

68

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, sipas PDK-së, është 26 janari i vitit të ardhshëm, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media pas takimit me presidenten Osmani me liderët politikë, Krasniqi ka thënë se shpreson që presidentja të vendosë sa më shpejtë për datën e re të zgjedhjeve.

Ai ka shtuar se nuk u diskutua për zgjedhje të parakohshme, vetëm për preferencat e partive për datën e zgjedhjeve të rregullta.

“PDK është në favor të datës 26 janar, si data më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Nuk i favorizojmë datat e muajit shkurt, nuk janë të përshtatshme sepse e kemi edhe Pavarësinë. Mbesim ta shohim, unë shpresoj shumë që presidentja të vendosë sa më shpejt për datën e re të zgjedhjeve. Nuk është diskutuar për zgjedhje të parakohshme, sot diskutuam për zgjedhje të rregullta”, ka thënë ai.

Kreu i PDK-së ka deklaruar se është ende herët për të menduar për koalicione, ndërsa nuk preferon të përdorë vija të kuqe me partitë tjera.

“Takimi ka qenë në datën e zgjedhjeve të rregullta, i kam lutur disa herë që të shkojmë në zgjedhjet e parakohshme, PDK ka qenë e vetmja qe ka shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhjet e parakohshme por nuk kemi pa gatishmëri konkrete nga të tjerët. Është koha të flasim për datën e zgjedhjeve dhe jo për koalicioneve. Kosova ka për një tjetër Qeveri për një qasje të re. PDK-ja është e vetmja që nuk e ka përdorur vijën e kuqe dhe nuk mendojmë për koalicion. Një ditë me qeverisjen e Kurtit është edhe një ditë e humbur”, ka thënë Krasniqi.