20 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen në Hajvali

50

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Kryeziut, duke e dënuar me dënim unik prej 20 vjet burgim për vrasjen e V.Xh., në dhjetor të 2021-ës në Hajvali.

Aktgjykimi ndaj Kryeziut u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I pandehuri Kryeziu ngarkohej e së bashku me të miturin A.K., pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me tani të ndjerin V.Xh, me dashje që ta privojë nga jeta, në oborrin e shkollës në Hajvali e kishin therur me thika në trup e që si pasojë e plagëve të marra Xh., kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gjykatësi Shyti tha se i akuzuari Kryeziu për “Vrasje” dënohet me 19 vjet e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 20 vjet burgim.

Ndryshe, në fjalën përfundimtare, prokurori Arben Hoti ka bërë rikualifikimin e cilësimit juridik të kësaj çështje penale nga “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje në veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje nga neni 172 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Sipas aktgjykimit, dënimi i shqiptuar me burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Po ashtu, atij i vazhdohet masa e paraburgimit derisa ky aktgjykim të marrë formën e prerë por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim. Urdhërohet konfiskimi i thikës me gjatësi 6 cm.

Po ashtu, i akuzuari u obligua që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro dhe shumën prej 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar u udhëzua në kontest juridiko-civil.