Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka nisur hetimet ndaj Komunës së Ferizajt për tenderin që u dha për asfaltimin e rrugës në “Mirash”. Gazeta Insajderi para një muaji ka raportuar se edhe pse ishin dhënë mijëra euro, kjo rrugë kishte mbetur baltë.
Ndaj Komunës së Ferizajt, Prokuroria Themelore, ka nisur hetimet për tenderin lidhur me asfaltimin e rrugës në “Mirash”, ku janë dhënë 24 mijë euro.
Në një përgjigje dhënë për Gazetën Insajderi nga kjo prokurori thuhet se rasti është nën hetime dhe nuk mund të japin më shumë detaje.
“Duke i’u referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se ky rast aktualisht është në procedurë hetimore dhe në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje“, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për Gazetën Insajderi.
Gazeta Insajderi me 6 qershor ka raportuar se në Komunën e Ferzajt, janë dhënë para për rrugë që nuk janë asfaltuar.
Opozita në Komunën e Ferizajt, kishte publikuar disa fotografi të rrugëve me dhe që sipas tyre komuna dha para për të u asfaltuar.
Ata kishin ftuar edhe Prokurorinë që të nisë hetim, pasi janë 24 mijë euro që u dhanë për këto rrugë, që nuk u kryen punime.
Por, Komuna e Ferizajt, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, kishte mohuar këto akuza duke thënë se janë asfaltuar rrugë të ndryshme.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, kishte ftuar Prokurorinë të nis hetimet ndaj Komunës së Ferizajt, pasi sipas tij janë dhënë para për rrugë që nuk u asfaltuan kurrë.
Ai ka përmendur projektin dyvjeçar në Mirash për asfaltimin e 8 rrugëve, disa rrugicave, ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe murit mbrojtës, kushtoi 80 mijë euro.
“Për rrugën “Te varrezat e Hashanve” sipas dokumentit të Situacionit, u paguan 13 mijë e 074 euro. Kurse, për asfaltimin e rrugicave “Te Raqt”, shuma e paguar është 11 mijë e 638 euro. Derisa në total flasim për mbi 24 mijë euro të paguara për asfaltimin e këtyre rrugëve, ato nuk u asfaltuan kurrë. Sot e kësaj dite ato janë në zhavorr”, tha Azemi.
Fotografi që nga gjendja aktuale e rrugëve.
Kontratën për këto rrugë që kompania fituese ishte “Gërlica Company”.
Komuna e Ferizajt mohon akuzat
Për këto pretendime të ngritura nga opozita në Ferizaj, Gazeta Insajderi kishte pyetur edhe Komunën e Ferizajt të cilët thanë se akuzat nuk qëndrojnë.
Sipas tyre projekti me kërkesë të banorëve të fshatit Mirash projekti ishte reviduar.
Madje, në përgjigjen e tyre thuhej se nuk qëndron as aludimi që Komuna ka dhënë para për punë të pakryera.
“Për projektin e asfaltimit të rrugëve në fshatin Mirash, nuk qëndron ashtu si e ka thëne opozita. Me kërkesa të banoreve të fshatit Mirash, projekti është reviduar dhe me sasinë e atyre rrugëve janë asfaltuar 47 rrugë të ndryshme dhe me gjatësi të ndryshme, të gjitha këto rrugë janë të matura me gjeodet dhe janë të dokumentuara. Andaj aludimi që është paguar diçka qe nuk është punuar nuk qëndron, pasiqë është punuar në shumë rrugë të ndryshme dhe te gjitha janë të dokumentuara“, thuhej në përgjigje.