Ngrihet aktakuzë ndaj kompanisë “Sallahu” për pagesën e 196 mijë eurove për rrugën e Rugovës

27

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.L dhe Lulzim Sallahut për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, si dhe ndaj personit juridik, operatorit ekonomik SHPK “Sallahu”, për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, N.L, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor (MMPHI) dhe Infrastrukturës, si menaxher i kontratës për mbikëqyrjen e punimeve për rehabilitimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë-Kuqishtë-Çakorr, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke i mundësuar të pandehurit L.S, pronarit dhe personit përgjegjës të operatorit ekonomik SHPK “Sallahu”, “në mënyrë të kundërligjshme ka aprovuar pagesat, ku diferenca mes punëve të paguara dhe atyre të pranueshme është 196.234.21 euro, kështu duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovë në shumën e lartcekur”.

I pandehuri, Lulzim Sallahu, pronar i operatorit ekonomik SHPK “Sallahu”, sipas aktakuzës, në cilësinë e punëkryesit lidhur me kontratën nr. 054/2021 me nr. prokurimi MI-205-21-5465-5-1-1 të datës 29.11.2021, për rehabilitimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë-Çakorr, duke shkelur nenin 65 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, nuk i ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, kontratë kjo e lidhur mes operatorit ekonomik SHPK “Sallahu” dhe autoritetit kontraktues MMPHI me datën 29.11.2021 dhe “duke mos përfillur para masat e kësaj kontrate, me dashje dhe pa të drejtë me datën 05.05.2022, ka kërkuar nga MMPHI që t’i paguhet shuma e parave, ku shuma e përfitimit të kundërligjshëm sipas plotësimit të ekspertizës së ekspertëve gjyqësor të datës 07.05.2024, është 196.234.21 euro”.