Kurti para takimit me Vuçiq: Do të shkoj në Bruksel të shoh se në çfarë gjendje ndodhemi

93

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të mërkurën do të udhëtojë në Bruksel për tu takaur me presidentin serb, për të parë se në “çfarë gjendje ndodhemi”.

Ai ka thënë se sipas marrëveshjes bazike të 27 shkurtit të vitit 2023, normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë bëhet me njohje de-fakto.

“Takimi i nesër do të jetë në funksion të rekapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si duhet të ecim përpara. Marrëveshja bazike e bën normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto. Kjo është zgjidhja më e mirë e cila nuk është realizuar deri më sot. Kemi pasur tensione nganjëherë edhe deeskalime sepse përgjegjësinë e ka Beogradi”, ka thënë Kurti të martën para gazetarëve pas konferencës ndërkombëtare të rinisë për Vetëvendosje “Western Balkans Six – Youth for Social Democracy”.

Takimi Kurti- Vuçiq i 26 qershorit i ftuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell është i pari i nivelit të lartë pas 9 muajsh.