Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka reaguar në samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë lidhur seancën e përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republika Sërpskas në Beograd ku u mbajt “Asambleja gjithë-serbe”, ku është shprehur i shqetësuar për këto deklarata, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në fjalën e tij, ambasadori Hovenier tha se kjo nuk është deklarata e vendit të tij e as e partnerëve të Kosovës.
Siç tha ai ShBA e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur e demokratik, dhe se kjo gjë nuk rinegociohet, por duhet të pranohet e kremtohet si sukses i rajonit.
“Mund të shprehim shqetësimin tonë për deklaratat e fundit të një Kuvendi që thotë se Kosova është njëfarë mënyre, e kam harru dhe shprehjen që e kam përdorur, substanciale, pjesë e pandarë e Serbisë. Mund të them vetëm se ky nuk është qëndrimi i vendit tim apo partnerëve. E kemi njohur kosovën si vend të njohur të pavarur, sovran, demokratik dhe kjo s’është për debat dhe as nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet, duhet të kremtohet dhe duhet të jetë pjesë e suksesit të rajonit”, tha Hovenier para të pranishmëve.
Të shtunën e 8 qershorit, Serbia dhe entiteti serb i Bosnje – Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.
Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.
Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
Çfarë thuhet për Kosovën?
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.