Ambasada franceze: Kouchner vjen në Kosovë në një datë tjetër, vizita u anulua për shkak të problemeve logjistike

81

Ambasada e Francës në Prishtinë ka njoftuar se ish-përfaqësuesi i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, do të zhvillojë vizitë në Kosovë në një datë tjetër, pas anulimit të vizitës që u paralajmërua se do të zhvillohej të martën, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Në një komunikatë për media, ambasada franceze njofton se vizita e planifikuar për sot është anuluar për shkak të problemeve logjistike, teksa kanë falënderuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të cilët pranuan që të takohen me Kouchner.

Ju informojmë se vizita e ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme dhe Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner në Kosovë, fatkeqësisht është dashur të anulohet për shkak të problemeve logjistike të lidhura me udhëtimin e Dr Kouchner. Ju njoftojmë se vizita e tij do të realizohet në një datë të mëvonshme. Ambasada e Francës shpreh keqardhje për këtë pengesë dhe falënderon sinqerisht Presidenten, Kryeministrin, Kuvendin e Kosovës, Kryetarin e Prishtinës, Kuvendin komunal dhe të gjithë personalitetet e shoqërisë që pranuan të takohen me Dr Kouchner gjatë vizitës së tij”, thuhet në komunikatë.

Kouchneri pritej ta vizitonte Kosovën të martën dhe të mërkurën.

Ambasada e Francës kishte njoftuar se Kouchner do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Atij do t’i dorëzohej “Çelësi i Qytetit” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndërsa do të zbulohet edhe një pllakë e një rruge të emërtuar me emrin e tij në “Rrugën B”.

Më 12 qershor Kouchneri pritej t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.

Kouchner ishte Përfaqësues i Lartë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2001 dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Francës.