IKShPK-ja u bën thirrje prindërve që fëmijët ta marrin vaksinën e fruthit

122

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka alarmuar lidhur me rritjen e rasteve të fruthit në rajonin e Evropës. Për këtë çështje, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje prindërve që fëmijët ta marrin vaksinën e fruthit.

Tashmë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka alarmuar lidhur me rritjen e rasteve të fruthit në rajonin e Evropës. Sipas OBSh-së, gjatë vitit 2023 janë shënuar 42 mijë e 200 raste të fruthit në rajonin e Evropës, nga 941 sa ishin regjistruar më 2022.

Lidhur me këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve t’i vaksinojnë ata me kohë.

“Fruthi është një ndër sëmundjet më ngjitëse dhe me vdekshmëri më të lartë te fëmijët nën 5 vjeç.  Përkundrejt rritjes së madhe të rasteve në Evropë dhe në rajon, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me fruth”, thuhet në njoftim.

Në këtë njoftim thuhet se IKShPK-ja bën mbikëqyrjen e vazhdueshme të sëmundjeve ngjitëse, përfshirë këtu edhe fruthin, duke i ndërmarrë në vazhdimësi masat profillaktike dhe kundërepidemike.

“Vaksinimi është mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së fruthit. Aktualisht, Kosova ka shkallë të mirë të mbulueshmërisë me vaksinën MMR (Fruth-Rubellë-Parotit)”, thuhet mes të tjerash në njoftim.