Policia ndalon për 48 orë dy edukatore, pas keqtrajtimit të fëmijës në çerdhen në Fushë-Kosovë

24

Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë ndaluar dy persona në lidhje me rastin në Fushë-Kosovë, ku dyshohet se në çerdhën publike “Gëzimi ynë” është keqtrajtuar një fëmijë. 

Policia përmes një komunikate për media, ka thënë se ka inicuar hetim për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe autorizimeve publike”.

Mbi këtë aktvendim, janë ndaluar N.M, 64 vjeçare dhe N.H, 56 vjeçare. 

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se të njëjtave, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orë.

Njoftimi i plotë:

Informacion shtesë ndërlidhur me incidentin:

Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave;

  • N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe
  • ​N. H, femër, 56 vjeç, shtetase Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh.


Prishtinë, 19 shtator 2023 –

Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë.

Pas publikimit të pamjeve të tilla ne kemi marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë kemi filluar një hetim preliminar për çështjen.

Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato.

Veprimet policore po koordinohen me prokurorin e shtetit si dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.

Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit.

Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit.

Vlerësojmë komunitetin për mirëkuptimin dhe sigurojmë që ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje që vendi ynë të mbetet i sigurt për të gjithë.