Gjykata Themelore e Gjilanit ka zbuluar detaje të planit tinëzar të vrasjes në mënyrë të organizuar që kreu shtetasi serb Srđan Jurisheviq, bashkë me dy të dyshuar të tjerë, anëtarë të një organizate kriminale në Mal të Zi.
Siç ka njoftuar Gjykata, Jurisheviq, që fshihej pas një identiteti të rremë në Kosovë, në korrik të vitit 2020 privoi nga jeta viktimën Nikolla Stanishiq në Kotor të Malit të Zi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“I pandehuri S. J. (shtetas i Malit të Zi), dyshohet se në gjysmën e dytë të korrikut të vitit 2020, në Kotor të Malit të Zi, duke vepruar si anëtarë i organizatës kriminale dhe duke përdorur telefon të koduar dhe aplikacionin SKY ECC, në bashkëkryerje me dy të akuzuar të tjerë, kanë planifikuar që në mënyrë tinëzare të privojnë nga jeta – tani viktimën N. S”, bën të ditur Gjykata Themelore e Gjilanit.
Tutje, në raport bëhet e ditur se viktima u torturua vazhdimisht nga kryesit e aktit, me qëllim të zbulimit të disa detajeve për një organizatë tjetër kriminale kundërshtare.
“Me datë 01.08.2020 i pandehuri me bashkë me të akuzuarit e kanë ndaluar viktimën, i cili ishte duke e drejtuar motoçikletën e tij dhe e kanë goditur me shufër metalike në pjesën e kokës duke e rrëzuar për toke e më pas të njëjtin e lidhin me litar duke e goditur disa herë në kokë dhe pjesë të trupit, e më pas duke ndjekur planin kriminal, viktimën e futin në automjetin e markës BMW, ashtu që gjatë rrugës e torturojnë vazhdimisht të njëjtin duke e goditur dhe e gjithë kjo për të marr planet e organizatës kriminale kundërshtare dhe për tu qasur në telefonin e koduar të viktimës, kështu që në mbrëmjen e datës 01.08.2020 dhe datës 02.08.2020, e privojnë nga jeta viktimën N. S., e më pas kthehen në Kotor dhe e largojnë motoçikletën nga vendi i ngjarjes në një vend të panjohur me qëllim të fshehjes së gjurmëve dhe veprës penale të kryer”, thuhet tutje.
Ndaj të Srdan Jurisheviq Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditësh. I njëjti akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, “vrasje e vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës dhe nga shkresat e lëndës shihet se i pandehuri S. J., është duke u kërkuar në bazë të një urdhër arresti të Interpolit, të datës 31.05.2021”.
Jurisheviq u arrestua të mërkurën në Gjilan. Sipas Policisë, i njëjti fshihej pas një identiteti të rremë në Kosovë