Gjykata Speciale në Hagë ka publikuar dosjen paraprake të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Avokti Gregory Kehoe, në dosjen 82 faqëshe e ka quajtur selektive paraqitjen e Gjykatës Speciale karshi ngjarjeve historike në Kosovë.
“Thaçi është arrestuar 24 muaj më parë dhe të gjitha kërkesat për lirim të përkohshëm janë refuzuar. SPO ka paraqitur një çështje që nuk ka asnjë lidhje me akuzat për trafikim organesh për të cilat Gjykata është krijuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht dhe që ka në qendër të saj një paraqitje selektive dhe të thjeshtuar të ngjarjeve historike”- thuhet në shkresë
.
Mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se nëse do të kishte plan kriminal, UÇK-ja nuk do ta gëzonte përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar.
“Nëse UÇK-ja do të kishte vepruar në bazë të një plani kriminal për vrasjen, torturimin dhe abuzimin e civilëve, ajo nuk do të kishte pasur kurrë mbështetjen e SHBA-së, Britanisë së Madhe, NATO-s, OSBE-së, Grupit të Kontaktit, apo komunitetit më të gjerë ndërkombëtar”- thuhet në dosje.
Mbrojtja më tej ka kundërshtuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar duke aluduar se ajo po bazohet në një keqinterpretim dhe selektim të ngjarjeve.
“Kosova e pavarur nuk është më rezultat i një lufte, të mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë, për liri nga regjimi represiv dhe brutal serb. Në vend të kësaj, sipas ZPS-së, shtetësia e Kosovës është rezultat i një plani kriminal kompleks dhe të gjerë për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, nën sytë vigjilentë të po këtyre aleatëve ndërkombëtarë”- ka thënë avokati Gregory Kehoe.
Mbrojtja rikujton se tani është e qartë se shumë nga dokumentet në të cilat mbështetet Zyra e Prokurorit të Specializuar, erdhën nga organet qeveritare serbe.
Sipas Gregory Kehoe, janë të njëjtat organe që kanë një interes të veçantë në rezultatin e këtyre procedurave, e të cilat edhe u përpoqën të vrisnin Dick Martyn, me qëllim të fajësimit të shqiptarëve të Kosovës.
Gregory Kehoe më tej ka arsyetuar se Thaçi dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së nuk kishin asnjë politikë për të kryer krime kundër kundërshtarëve.
“Ashtu si të gjitha strukturat ushtarake dhe të sigurisë, edhe ato të sapolindura si UÇK-ja, ruajtja e sigurisë së brendshme nga kërcënimi i atyre brenda shërbimeve sekrete serbe, apo puna me autoritetet serbe, ishte shqetësim për të gjithë UÇK-në. Si në të gjitha konfliktet e armatosura historikisht, pati përpjekje për të parandaluar infiltrimin e atyre që synonin të dëmtonin UÇK-në dhe pjesëtarët e saj, por nuk kishte asnjë politikë për t’i nënshtruar ata ndaj krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit përmes një sulmi të gjerë dhe sistematik”- thotë mbrojtja.
Në dosje sqarohet se në akuzë ZPS ka përfshirë “anëtarë të UÇK-së” dhe “ushtarë të tjerë të UÇK-së” si anëtarë të NPK-së të cilat janë hedhur poshtë.
“Vështirësia me këtë formulim të gjerë demonstrohet nga dëshmitë e vetë ZPS-së për “anëtarësimin e UÇK-së” që shpesh nuk do të thotë asgjë më shumë se mbajtja e shenjave, ose vetëshpallja e besnikërisë. Rasti i ZPS-së varet nga këta mijëra njerëz që vullnetarisht iu bashkuan UÇK-së, duke qenë në të njëjtën kohë pjesë e të njëjtit qëllim të përbashkët kriminal. Injoron tërësisht realitetin kaotik dhe të furishëm në terren: dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës që ngrihen kundër një fushate të brutalitetit dhe represionit serb, me një ritëm që tejkaloi çdo përpjekje për të organizuar, rregulluar apo edhe për të vepruar në koordinim me grupet e njohura të UÇK-së”- thuhet nga mbrojtja.
Në dosjen e avokatit dorëzuar Gjykatës gjithashtu thuhet se mungon narrative e ZPS-së për shqiptarët e zhvendosur.
Sipas Kehoe largimi i 863 mijë shqiptarëve nga forcat serbe u paraqit si një lëvizje e ushtarëve të UÇK-së.