Kurti për 18 muaj humbi 13 përqind – Dy sondazhe brenda javës tregojnë për teposhtën e VV-së

112

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka humbur rreth 13 përqind të votave, sipas dy sondazheve që janë realizuar në javën e fundit.

Sondazhi që u publikua sonte nga Instituti “Pipos”, në Rubikon, tregon se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka rënë për 13 përqind.

Në pyetjen nëse zgjedhjet do të mbaheshin tash, Lëvizja Vetëvendosje do të fitonte 37.10 përqind të votave, nga 50 përqind sa kishte fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, shkruan Gazeta Insajderi.

Se Vetëvendosje ka rënë në 40 përqind pas një viti e gjysmë në pushtet, e tregon edhe sondazhi i UBO Consulting, i cili u publikua ditë më parë nga Gazeta Express.

Ku qytetarët janë pyetur se kë do ta votonin, nëse do të mbaheshin së shpejti zgjedhjet nacionale, rezultatet kanë dalë shumë më ndryshe prej zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Nga të anketuarit, 35.8 për qind janë përgjigjur se do ta votonin LVV-në në zgjedhjet e ardhshme. Kur shpërndahet përqindja e atyre që refuzojnë të përgjigjen dhe e atyre që janë të pavendosur, LVV-ja del se do t’i merrte 39.6 për qind.

Në mars, në matjet që UBO Consulting i kishte kryer për Gazetën Express, Vetëvendosje kishte dalë te 41.9 për qindëshi.

Partia Demokratike, në matjet e kryera, del dyta. 19.8 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin PDK-në nëse zgjedhjet mbahen këtë të diel. Me vota të deklaruara, PDK-ja del se do të merrte 21.9 për qind të votave.

E treta, si në zgjedhjet e 14 shkurtit, është akoma LDK-ja, që tash udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

Në matjet e fundit, LDK-ja del se do të merrte 18.4 për qind të votave. Kur shpërndahet përqindja e të padeklaruarve, përqindja e LDK-së është te 20.3.

Këtu është përfshirë edhe partia e themeluar nga Presidentja Vjosa Osmani. E ndarë nga LVV-ja, lista “Guxo” del se do të merrte 1.3 për qind të votave, sipas këtyre matjeve.

Aleanca e Ramush Haradinajt ka dalë se do të votohej nga 6.7 për qind e të anketuarve.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti, sipas matjeve, as një për qind të votave s’do të merrnin Alternativa, AKR-ja dhe PSD-ja.

Nisma Socialdemokrate, në këtë sondazh del se do të merrte 1.9 për qind të votave.

Derisa, sipas matjeve që janë shpalosur sonte në Rubikon, të cilat janë bërë vikendin e kaluar, e që kanë marrë pjesë 1 mijë e 50 respondentë, LDK do të dilte e dyta me 22.20 përqind, ndërkaq në vendin e tretë me 18.80 përqind është PDK.

Në vendin e katërt është AAK me 7.80 përqind. Lista Guxo është me 1.60 përqind, dhe Nisma e AKR me nga 0.60 përqind.

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit – 14 shkurt 2021

Në zgjedhjet e fundit nacionale, LVV-ja e kishte marrë saktësisht atë që dëshironte. Rezultati përfundimtar e nxori atë të parën me mbi 50 për qind. 49 për qindëshin tjetër ua kishte lënë të gjitha partive të tjera bashkë.

Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind, shkruan Gazeta Insajderi.

Derisa LVV-ja po shënonte rezultatin më të thellë ndonjëherë në zgjedhje, LDK-ja doli me më së paku vota në historinë e saj.

LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.