Varësia nga cigarja dhe alkooli të lidhura me gjenet e njeriut

41

Pirja e duhanit dhe përdorimi i alkoolit janë ndër substancat më të përhapura të përdorura në mbarë botën dhe përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shkaktarëve të sëmundjeve dhe vdekjeve së parandalueshme

A keni menduar ndonjëherë pse një person mund të pijë cigare për një vit dhe lehtë të heq dorë nga ajo, ndërsa një person tjetër do të bëhet i varur për të gjithë jetën? Pse disa persona nuk mund ta ndihmojnë veten nga abuzimi me alkool dhe të tjerë mund ta përdorin dhe ta lënë? Një arsye është prirja gjenetike e një personi për të abuzuar me substanca.

Studiuesit e Shkollës së Mjekësisë “UNC” të udhëhequr nga Hyejung Won, kanë filluar të kuptojnë këto dallime gjenetike themelore. Sa më shumë kuptojnë ata, do të ketë shanse më të mira që të mund të krijojnë terapi për të ndihmuar miliona persona që janë të varur, shkroi “neuroscience.com”.

Won dhe ekipi i saj identifikuan gjene që lidhen me pirjen e duhanit dhe alkoolit. Ata gjetën se këto gjene janë të shpërndara në lloje të caktuara të neuroneve – qeliza të trurit që nxisin qeliza të tjera të dërgojnë sinjale kimike në të gjithë trurin.

Studiuesit që punën e publikuan në revistën “Molecular Psychiatry” gjetën edhe se gjenet që i lidhën me pirjen e duhanit ishin të lidhura me perceptimin e dhimbjes dhe reagimin ndaj ushqimit, si dhe me abuzimin e drogave të tjera, si kokaina. Gjenet e tjera të lidhura me përdorimin e alkoolit ishin të lidhura me stresin dhe të mësuarit, ashtu si edhe me abuzimin me droga të tjera, si morfina.

Duke marrë parasysh opsionet aktuale për trajtimin e çrregullimit të përdorimit të substancave, studiuesit analizuan të dhënat publike të ilaçeve për të identifikuar trajtime të reja të mundshme kundër abuzimit me substanca. “Gjetëm se antipsikotikët dhe stabilizuesit e tjerë të gjendjes emocionale kanë gjasa të ofrojnë lehtësim terapeutik për individët që luftojnë me abuzimin e substancave”, tha një nga autoret e studimit, Nancy Sey.

Përdorimi në kohë të gjatë i substancave dhe çrregullimi i përdorimit të substancave janë lidhur me shumë sëmundje, si kanceri i mushkërive, sëmundje të mëlçisë dhe sëmundje mendore. Ende, pak opsione trajtimi ofrohen, në masë të madhe për shkak të boshllëqeve për të kuptuar proceset biologjike.

“Ne e dimë nga studimet se gjenetika mund të jetë arsyeja pse disa njerëz përdorin dhe abuzojnë me substanca, përveç faktorëve mjedisorë, si çështjet familjare ose traumat personale”, tha Won.

Pirja e duhanit dhe përdorimi i alkoolit janë ndër substancat më të përhapura të përdorura në mbarë botën dhe përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shkaktarëve të sëmundjeve dhe vdekjeve së parandalueshme.