Karaçeva e bën “Rrugën e Mediave” si falënderim për punën e gazetarëve

15

Rruga prej kthesës së Novosellës deri të rruga e Breznicës tash e tutje do të quhet “Rruga e Mediave”.

Emërtimi i ri i rrugës është bërë me vendim të bashkësisë lokale të fshatit Karaçevë e poshtme që është në brez kufitar me Serbinë.

“Ne kemi njoftuar si bashkësi lokale kryetarin e Komunes së Kamenicës Kadri Rahimaj, nënkryetarin e komunës Faton Jakupi, kryesuesin e kuvendit Liridon Kastrati si dhe drejtorin e shërbimeve publike Zotrim Kastrati për këtë emërtim të rrugës. Këto institucione janë në dijeni dhe ne si bashkësi lokale kemi nënshkrimet e banorëve të brezit kufitar Karaçevë e poshtme”, thuhet në njoftimin e bashkësisë lokale.

Tabelat me emrin e ri të kësaj rruge janë vendosur, sot, poshtë tabelave ku shkruan Karaçevë e ku po ashtu janë vendosur edhe flamujt e Kosovës, Shqipërisë dhe ShBA-së.

Bashkësia lokale e këtij fshati thotë se arsyeja pse kanë vendosur që këtë rrugë ta njohin si “Rruga e Mediave” është për shkak të kontributit të gazetarëve në këtë fshat të brezit kufitar.

“Me ndihmën e juaj bashkësia lokale, banorët e brezit kufitar nëpërmes mediumeve keni bërë sensibilizimin e kësaj pjese të fshatit Karaçevë për ruajtjen e territorit, sovranitetit, integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

Karaçeva është përballur jo pak herë me raste të ndryshme të cenimit të sigurisë, derisa është raportuar disa herë se xhandarmëria serbe ka hyrë në këtë zonë.