Shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, ka vazhduar me shkelje të Ligjit të Prokurimit në tenderin me titull “Intervenimi në Infrastrukturë për rastet e fatkeqësive natyrore dhe eleminimi i deponive ilegale në Komunën e Prizrenit” me vlerë të parashikuar 1,500,000.00 euro (Një milion e pesëqind mijë euro).
Osmankaj ka të ngritur aktakuzë pikërisht për moszbatim të vendimit të OSHP-së nga Departamenti i Krimeve të Rënda për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Më 7 prill, Zyra e Prokurimit në Komunën e Prizrenit e ka shpallur fitues firmën e cila është gjykuar e papërgjegjshme në shumë aspekte nga Gjykata e Tenderëve – OSHP.
Në një vendim më 12 mars, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka aprovuar ankesën e dy operatorëve ekonomikë në cilësinë e firmave ankuese.
OSHP-ja ka vendosur për anulimin e vendimit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit dhe kthimin e rastit në rivlerësim duke e obliguar Zyrën e Prokurimit që gjatë rivlerësimit t’i përmbahet ligjit pasi që herën e parë ka shpallur fitues kompani të papërgjegjshme sepse nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e AK-së dhe ka pasur çmime manipulative.
Por, shefi i Zyrës së Prokurimit, Osmankaj, me datë 7 prill 2021 duke shfrytëzuar vakuumin institucional, pasi që me datë 30.03.2021 i ka skaduar mandati bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, përsëri e ka shpallur fitues kompaninë e njëjtë e cila është e papërgjegjshme me vendim të OSHP-së nr.158,164/21 të datës 12.03.2021.
“Paneli shqyrtues sqaron se tani e një kohe nuk jemi marrë me çmime kur autoriteti kontraktues vendos çmimet me poentim, por kjo po keqpërdoret nga Operatorët, ku kemi rastin konkret që OE i rekomanduar për kontratë ka vendosur çmime shume te ulëta dhe manipulative dhe kurrsesi asnjë operator ekonomik me këtë çmim nuk e realizon këtë pozicion, Paneli shqyrtues konstaton se këto pretendime të operatorëve ankues janë të bazuara”, sqarohet në vendimin e OSHP-së, të datës 12.03.2021.
Edhe pse ky operator ekonomik i ka dhjetëra pozicione pra shumicën e paramasës me nga 10 cent, komisioni vlerësues i përbërë nga Asim Kokaj, Zek Tejeci dhe Laura Suka e shpallin këtë operator fitues herën e parë dhe më pas përsëri herën e dytë pas konstatimit të shkeljes nga OSHP.
Genc Besimi nga kompania “G-Project” ShPK, në emër të Gurpit të Operatorëve Ekonomikë, të cilët kanë ofruar çmimin më të ultë të përgjegjshëm, ka shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit, sikur e ka quajtur ai, të paligjshëm të Zyrës së Prokurimit dhe ka paralajmëruar hapa ligjorë.
“Neve si konsorcium na është aprovuar ankesa jonë në tërësi si e bazuar nga Gjykata e Tenderëve. Ndërsa kompaninë të cilën e ka shpallur fituese për herë të dytë Zyra e Prokurimit në vendimin nr.158,164/21 është definuar qartë se është kompani e papërgjegjshme. Ne si konsorcium shprehim pakënaqësinë tonë ndaj vendimit të paligjshëm të Zyrës së Prokurimit dhe ndaj këtij veprimi do t’i ndërmarrim të gjithë hapat ligjorë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Besimi për Ekonomia Online.
Ai thekson se Komisioni vlerësues, në bashkëveprim me Shefin e Prokurimit, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore duke ndërhyrë dhe vlerësuar çështje të gjykuara nga OSHP si organ epror ndaj tyre. “Përpos çmimeve manipulative, kompania e shpallur fituese ka pasur edhe mangësi tjera në dosjen e tenderit të vërtetuara nga OSHP e të cilat edhe pse kanë qenë të gjykuara nga OSHP ky komision ka tejkaluar kompetencat e tyre duke ndërhyrë dhe konstatuar gjendje tjetër faktike në krahasim me Gjykatën e Tenderëve dhe e cila dukuri është tejkalim i kompetencave të tyre”.
OE i cili është shpallur fitues nga zyra e Prokurimit në Prizren ka çmime në disa raste ekstremisht të ultë si për shembull 1 kubik Beton 10 cent, 1 kubik zhavorr me çmim 30 cent, 1m2 asfalt me çmim 10 cent, 1 m2 kubëza betoni 10 cent etj. Sipas njohësve të kësaj fushe, me këto çmime nuk mbulohen as taksat shtetërore.
Nga ana tjetër, operatori i vlerësuar si i papërgjegjshëm nga OShP-ja ka çmime të larta, që lënë hapësirë për manipulime në të ardhmen. Kështu për pozicionin B.10 i cili parasheh ngjeshjen me makineri është ofruar çmimi 6.5 euro për m2. Rrjedhimisht nëse ky operator e ngjeshë një rrugë 8 metra të gjerë me gjatësi 1 kilometër i bie t’ia faturojë Komunës së Prizrenit vlerën e majme prej 52,000.00 euro, një çmim që është vlerësuar manipulativ nga paneli shqyrtues.
Po ashtu, ekzistojnë edhe shumë disproporcione në çmime, që janë konstatuar nga paneli shqyrtues. Për shembull operatori i shpallur fitues e ka paraparë ta furnizojë Komunën me zhavorr, së bashku me transport, me çmim komplet prej vetëm 8 eurosh për kamion; ndërsa largimin e mbeturinave e ka paraparë me një çmim shumëfish më të shtrenjtë – rreth 200 euro për kamion.
AKTAKUZA NDAJ OSMANKAJT
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Isa Osmankaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se në periudhën kohore maj 2017, e deri në maj 2018, në cilësinë e shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vepron në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, lidhur me tenderin “Shenjëzimi horizontal, vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit”, e lidhur me ankesën e operatorit ekonomik NPTSH “Limit L&B”, me seli në Prizren, si tenderues i suksesshëm, refuzon ankesën duke pretenduar se “Deklarata nën betim” e parashtruesit “Boja SHPK” me seli në Sambor dhe marrëveshja me të njëjtin partner është e falsifikuar, kërkon nga PSHP që të bëjë diskualifikimin e këtij operatori, për shkak të dokumenteve të falsifikuara të ndërmerren masa për falsifikim sipas nenit 92 të LPP-së, me ç’rast PSHP, me vendim me nr.259 të 4 majit 2017, refuzon ankesën me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për falsifikim.
Aktakuza përshkruan se i akuzuari Isa Osmankaj, me dije e ka shkelur ligjin lidhur me detyrat e tij si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi që duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit e Prokurimit Publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e kishte shpallur “nul” ose joekzistente.
Osmankaj vazhdon të jetë shef i Prokurimit në Komunën e Prizrenit qe mëse 15 vjet.
Ekonomia Online ka provuar të kontaktojë me Osmankajn, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon.